Prezantimi i aktivitetit
“Klasa e hetimit” është një lojë që u mundëson të rinjve pjesëmarrës të kuptojnë procesin e prodhimit të informacionit.
Konkretisht, bëhet fjalë për një hetim gazetaresk gjithëpërfshirës ku të rinjtë vendosen në rolin e gazetarëve.
Objektivat :
- Të kuptojnë bazat e profesionit të gazetarit si dhe rreptësinë që gazetarët profesionistë duhet të tregojnë për të siguruar vlefshmërinë e informacionit që përcjellin.
- Të ndërgjegjësohen për rëndësinë e mendimit kritik kur përballen me një informacion.
- Të jenë të aftë të kryejnë më lehtë verifikimin e burimeve, pasi kanë realizuar një pjesë të punës së gazetarit në këtë fushë.
Në fund, të rinjtë mësohen ta ndërmarrin këtë qasje, e cila shumë shpejt bëhet një refleks. Kjo i mbron ata nga rënia në grackën e dezinformimit.
Përveçse nxit frymën e ekipit, shënimet, aftësinë për të sintetizuar dhe prezantimin me gojë, ky ushtrim thekson punën e përzgjedhjes që bëjnë gazetarët profesionistë përpara se të shpërndajnë një informacion.
Zhvillimi i aktivitetit
Ky hetim gazetaresk gjithëpërfshirës zhvillohet në disa etapa :
- Për dy orë, të rinjtë mbledhin dëshmi dhe dokumente
- Këto dëshmi dhe dokumente janë përgatitur ose regjistruar më parë nga trajneri dhe “bashkëpunëtorët” (anëtarë të ekipit pedagogjik, mësues, anëtarë të shoqatës…)
- Dëshmitë dhe dokumentet trajtojnë të gjitha të njëjtin ngjarje (p.sh.: zhdukja misterioze e dy lioneshave në një kopsht zoologjik) por vijnë nga burime të ndryshme (p.sh.: përgjegjësja e kopshtit zoologjik, pronarja e kafenesë përballë kopshtit…)
- Të rinjtë krahasojnë këto dokumente për të tentuar të kuptojnë zhvillimin e fakteve, pastaj pyesin dëshmitarët (drejtpërdrejt ose me mesazhe elektronike)
- Më pas ata realizojnë një reportazh në kohë reale ku secili i ri luan rolin e gazetarit ndërkohë që një tjetër e filmon, falë një smartphone ose një kamere.
- Më vonë është e mundur të shpërndahen videot në platformën e zgjedhur për të sensibilizuar të rinj të tjerë mbi këto problematika (dhe për t’u dhënë të rinjve mundësinë të gjykojnë cilësinë e performancës së tyre !)
Konteksti Ballkanik
Për këtë aktivitet, referojuni fletës tematike “Media të pavarura” në të cilën shpjegohet konteksti botëror ku vendet e Ballkanit janë gjithnjë e më shpesh dëshmitarë të përhapjes së lajmeve të rreme.


