Prezantimi i aktivitetit
Në lojën me role të qarkut të informacionit pjesëmarrësit mishërojnë aktorët e ndryshëm që marrin pjesë në krijimin e një informacioni :
- aktorë, dëshmitarë, gazetarë, redaktorë dhe prezantues-teknikë.
Qëllimi është t’i vetëdijësojë ata për vështirësitë e natyrshme të riprodhimit besnik dhe objektiv të një fakti, sidomos kur mbështetet në dëshmi.
Objektivat
– T’u mundësohet të rinjve të kuptojnë, materializojnë dhe identifikojnë aktorët e qarkut të informacionit.
– Të vendosen pjesëmarrësit në rolin e aktorëve mediatikë (lojë me role)
Fillimisht duhet të ndahen pjesëmarrësit në 5 grupe. Çdo grup do të ketë një rol për të luajtur në qarkun e informacionit duke përfaqësuar kështu hapat e ndryshëm të paraqitura në pjesën kushtuar qarkut të informacionit në fletën pedagogjike 3.
Realizimi i mirë i këtij ushtrimi nënkupton që grupet e ndryshme të mos hyjnë në kontakt përpara ndërveprimeve dhe shkëmbimeve të parashikuara nga ushtrimi (nxjerrja e pjesëmarrësve jashtë sallës dhe hyrja e tyre me radhë do të ishte ideale).
Zhvillimi i aktivitetit
- Fillimisht, grupi i parë shpik një ngjarje me interes publik. Për shembull një aksident automobilistik që përfshin një personalitet politik, një protestë punëtorësh pas mbylljes së fabrikës së tyre ose arrestimi i një të famshmi (këngëtar ose aktor i njohur). Pas konsultimit larg grupeve të tjera, grupi duhet të mimejë/ekzekutojë/vizatojë ngjarjen përpara vetëm grupit të dytë.
- Grupi i dytë, anëtarët e të cilit luajnë rolin e dëshmitarëve, ndjek vetëm shfaqjen e ngjarjes, të luajtur nga grupi i parë dhe njofton mediat.
- Grupi i tretë, ai i gazetarëve hyn më pas në skenë: anëtarët e tij dëgjojnë dëshmitë e dëshmitarëve (të grupit 2) dhe verifikojnë informacionin duke krahasuar dëshmitë përmes intervistave bazuar në atë që gazetarët e quajnë “5W” (When =Kur? Where=Ku? Who=Kush? What=Çfarë? Why=Pse?).
- Grupi i katërt, ai i redaktorëve (larg që nga fillimi) mbledh raportet e intervistave dhe përgatit një shkrim të shkurtër (pra një artikull i shkurtër që përmbledh ngjarjen duke iu përgjigjur “5W”).
- Ky shkrim i shkurtër u transmetohet anëtarëve të grupit të pestë (prezantues dhe teknikë), të cilët e shpërndajnë informacionin ashtu siç iu raportua, përmes një regjistrimi audio ose video ose duke simuluar një edicion lajmesh televizive për shembull.
Katër grupet që do të qarkullojnë informacionin (nga dëshmitarët deri te shpërndarja) do të kenë detyrën e ndërlikuar për të transmetuar një informacion sa më të plotë dhe neutral të jetë e mundur. Megjithatë mund të jetë interesante të dështojë qëllimisht realizimi i mirë i këtij ushtrimi duke i kërkuar, për shembull, njërit prej dëshmitarëve të grupit të dytë të gënjejë për atë që ka parë ose të shpikë një komplot rreth ngjarjes.
Një rikthim i shpejtë i ushtrimit do të lejojë të bëhen pyetjet e mëposhtme :
– A është transmetuar informacioni në mënyrë besnike? A raporton grupi i fundit një informacion të afërt me realitetin e fakteve?
– Cilat janë vështirësitë e natyrshme të secilit hap/funksion?
– Cilat janë përcaktuesit/mundësitë e manovrës së secilit grup në lidhje me trajtimin e informacionit?
Konteksti Ballkanik
Për këtë aktivitet, referojuni fletëve tematike “Infox” në pjesën “Informohu“ të faqes pedagogjike. Në këtë mënyrë trajneri do të ketë shembuj për të cilët informacioni është devijuar gjatë qarkut të informacionit.


