Prezantimi i aktivitetit
Ky ushtrim praktik ka për qëllim të trajnojë të rinjtë për mbrojtjen e të dhënave të tyre online. Për ta bërë këtë, ndërhyrësi i ndihmon të rinjtë të ndryshojnë parametrat e tyre të privatësisë në internet dhe rrjete sociale, duke i shoqëruar hap pas hapi.
Filloni me një rrjet të vetëm social dhe bëni ndryshimet në llogari hap pas hapi.
Objektivat :
- Të bëhet e qartë për të rinjtë se ekzistojnë mënyra të thjeshta për të mbrojtur privatësinë e tyre në internet dhe rrjete sociale.
- Të shoqërohen të rinjtë në këtë proces në një rrjet social në mënyrë që ata ta zbatojnë më pas edhe në të tjerët.
Zhvillimi i aktivitetit
Hapi 1 : Ndërgjegjësimi
1. Hyni në llogarinë tuaj në Facebook, nga kompjuteri ose smartphone.
2. Shihni vetë “kujtesën” e mirë të Facebook: https://www.facebook.com/memories : Në këtë faqe, Facebook ju ofron të shihni përmbajtje (foto, ngjarje të rëndësishme dhe postime) sipas datave të publikimit dhe miqve të lidhur me publikimin. Ju mund gjithashtu të vendosni t’i fshihni ato (duke klikuar mbi “fshih kujtimet”) dhe të mos shihni më propozime kujtimesh për publikim.
3. Klikoni në menunë lart të faqes > Klikoni Ditari i aktiviteteve > Ju shfaqen të gjitha veprimet tuaja në Facebook dhe postimet e personave që ju përmendin. Mund të eksploroni opsionet në të majtë të ekranit si Postimet, Rishikimi i ditarit ose “Ku jeni etiketuar” dhe të ndryshoni ose fshini postimet ose përmendjet që ju përkasin duke klikuar mbi to.
4. Shikoni dhe shkarkoni të gjitha të dhënat tuaja personale: klikoni në menunë lart të faqes > Klikoni Cilësimet > Klikoni Informacionet tuaja në Facebook në të majtë.
Hapi 2 : Ndryshimi i parametrave të privatësisë së llogarisë suaj
- Hyni në llogarinë tuaj në Facebook.
- Klikoni në menunë lart të faqes > Klikoni Cilësimet > Klikoni Privatësia në të majtë > Kufizoni shtrirjen e postimeve tuaja, duke zgjedhur kush mund t’i shohë ato: zgjidhni më së miri Miqtë ose Miqtë përveç njohjeve ose Miqtë e ngushtë kur është e mundur.
- Gjithashtu tek Cilësimet > Klikoni Ditari dhe identifikimi në të majtë > Kufizoni kush mund të veprojë në ditarin tuaj dhe si: zgjidhni më së miri Vetëm unë ose Miqtë.
- Në Cilësimet > Klikoni Postimet publike në të majtë > Zgjidhni më së miri Miqtë për çdo opsion.
- Në Cilësimet > Klikoni Aplikacionet dhe faqet e internetit në të majtë > Zgjidhni aplikacionet që nuk i përdorni më dhe fshijini ato.
Kujdes: Fshirja e një aplikacioni të lidhur me Facebook mund të çojë në fshirjen e llogarisë së aplikacionit përkatës. Për shembull, nëse për aplikacionin e prenotimit të hoteleve Booking hyni me Facebook, mund të humbni llogarinë tuaj Booking dhe të gjitha informacionet mbi rezervimet.
- Bëni të njëjtën gjë për opsionet në të majtë Lojërat e menjëhershme dhe Integrimet profesionale. Të njëjtat rreziqe vlejnë.
- Në Cilësimet > Klikoni Reklamat për të kufizuar synimin e reklamave > Eksploroni të gjitha opsionet dhe veçanërisht seksionin Informacionet tuaja > Shikoni dy skedat Rreth jush dhe Kategoritë tuaja.
Në fund, forconi fjalëkalimin tuaj (zgjidhni një që është i gjatë dhe i fortë: mbi 8 karaktere). Zgjidhni një fjalëkalim që nuk e përdorni për llogari të tjera. Klikoni në menunë lart të faqes > Klikoni Cilësimet > Klikoni Siguria dhe lidhja > Klikoni Ndrysho fjalëkalimin.
Gjeolokalizimi dhe Facebook
Nëse keni instaluar aplikacionin Facebook në pajisjen tuaj mobile, mund t’i keni dhënë leje Facebook-ut të ndjekë lëvizjet tuaja pa e ditur!
Për ta kontrolluar nga kompjuteri: tek Cilësimet tuaja në Facebook > Klikoni mbi Vendi në menunë majtas. Nëse keni aktivizuar gjeolokalizimin, Facebook ju shfaq historikun e lëvizjeve tuaja!
Hapi 3 : Bëni të njëjtën gjë për llogaritë tuaja të tjera sociale
Rruga për të arritur tek parametrat e privatësisë së një rrjeti social ndryshon sipas pajisjes që përdorni (kompjuter, telefon) dhe sistemit operativ (iOS, Android).
- Parametrat e llogarisë suaj Instagram nga telefoni: Shkoni te profili juaj > Klikoni mbi foton e profilit > Klikoni Cilësimet (në fund të menusë) > Privatësia dhe siguria > Shikoni opsionet.
- Parametrat e llogarisë Twitter nga kompjuteri ose telefoni: Shkoni te profili juaj > Klikoni mbi foton e profilit > Klikoni Cilësimet dhe privatësia > Klikoni Privatësia dhe siguria > Shikoni opsionet.
- Parametrat e llogarisë Pinterest nga kompjuteri: Shkoni te profili juaj > Klikoni mbi foton e profilit > Klikoni Ndrysho cilësimet > Shihni veçanërisht cilësimet bazë dhe rrjetet sociale.
- Parametrat e llogarisë YouTube nga kompjuteri: Shkoni te profili juaj > Klikoni mbi foton e profilit > Klikoni Cilësimet > Shikoni veçanërisht Llogaria dhe historiku dhe Privatësia.
Për më tepër, kontrolloni cilësimet e llogarisë suaj Google të lidhur me YouTube: https://myaccount.google.com/privacy
- Parametrat e llogarisë LinkedIn nga kompjuteri: Shkoni te profili juaj > Klikoni mbi foton e profilit në menunë lart > Klikoni Preferencat dhe privatësia > Shihni veçanërisht skedat Privatësia dhe Reklamat.
Hapi 4 : Parametrat e shfletuesit tuaj të internetit
Për të mbrojtur më shumë privatësinë dhe për të bllokuar reklamat, mund të shkarkoni shtesa që instalohen në shfletuesin tuaj.
Hapat e konfigurimit ose disponueshmëria e shtesave ndryshojnë sipas shfletuesit që përdorni.
1. Bllokoni “cookies të palëve të treta”. Shpjegimet i gjeni në faqen WikiHow: https://www.wikihow.com/Disable-Cookies
2. Instaloni një bllokues reklamash si AdGuard AdBlocker, AdBlock ose uBlock Origin. Kërkoni në motorin tuaj të kërkimit fjalët kyçe “Bllokues reklamash” dhe “shtesë” të ndjekura nga emri i shfletuesit tuaj, për shembull: “bllokues reklamash shtesë Firefox”.
Kujdes: Instalimi i një bllokuesi reklamash mund të shkaktojë mosfunksionim të disa faqeve. Është e mundur të çaktivizoni përkohësisht bllokuesin (kërkoni tek opsionet e bllokuesit që keni instaluar).
3. Përdorni mënyrën e shfletimit privat për të shmangur reklamat e synuara: kërkoni në motorin tuaj të kërkimit fjalët kyçe “Shfletim privat” dhe emrin e shfletuesit tuaj, për shembull: “shfletim privat chrome”.
Rezultatet e para do t’ju tregojnë metodat për të përdorur mënyrën private të shfletuesit tuaj. Shfletimi privat nuk ju bën anonim. Ai thjesht nuk ruan historikun e shfletimit, cookies ose informacionet e futura në formularë në pajisjen tuaj.
Skedarët e shkarkuar dhe faqeshënuesit ruhen. Aktiviteti juaj mbetet i dukshëm për faqet që vizitoni, për punëdhënësin ose shkollën tuaj, si dhe për ofruesin e internetit.
4. Aktivizoni “Do Not Track”: kërkoni në motorin tuaj të kërkimit fjalët kyçe “Do Not Track” dhe emrin e shfletuesit tuaj. Shembull: “Do Not Track Firefox”.
Rezultatet e para do t’ju tregojnë metodat për të aktivizuar opsionin “Do Not Track” në shfletuesin tuaj.


