Prezantimi i aktivitetit
Qëllimi i këtij ushtrimi është t’i çojë pjesëmarrësit drejt përvetësimit të mjeteve të verifikimit të informacionit dhe t’i inkurajojë të bëjnë pyetjet e duhura përballë informacioneve sensacionale.
Gjatë këtij ushtrimi ata duhet të dallojnë midis disa artikujve/informacioneve në internet ato që janë manipulim dhe që mund të klasifikohen si “Fake News” dhe ato që trajtojnë informacione të njohura dhe të verifikuara. Së fundi, ata duhet të shpjegojnë natyrën e këtyre lajmeve të rreme duke iu përgjigjur disa pyetjeve për të hapur një diskutim më të gjerë mbi manipulimin e informacionit.
Variacione të mundshme :
- Puna e verifikimit mund të kryhet në grupe ose individualisht.
- Artikujt mund t’u shpërndahen drejtpërdrejt pjesëmarrësve në kompjuterë (me USB ose email) ose të shfaqen në një ekran me projektor (pjesëmarrësit duhet më pas të gjejnë artikullin përpara se ta klasifikojnë “Fake News apo jo “Fake News”).
Zhvillimi i aktivitetit
1. Përgatitja e artikujve : Për këtë ushtrim, faza e kërkimit dhe përzgjedhjes së artikujve është e rëndësishme pasi ajo do të përcaktojë suksesin e aktivitetit. Artikujt e paraqitur duhet të nxisin pjesëmarrësit të analizojnë, të reflektojnë dhe të tregojnë mendim kritik. Rekomandohet të merren informacione “të vërteta” por të habitshme apo sensacionale për të treguar se gjërat nuk janë gjithmonë të dukshme dhe se është e nevojshme mendimi kritik. Po ashtu, është mirë të zgjidhen lajme të rreme të ndryshme, për shembull një Fake News mbi shkencën, një mbi politikën, një mbi një personazh publik etj. Artikujt për t’u analizuar nuk duhet të jenë më shumë se 6 për të mos e rënduar ushtrimin.
2. Përgatitja e sallës : Të shpërndahen pjesëmarrësit në grupe ose individualisht në kompjuterë.
3. Shpërndarja e artikujve : Pjesëmarrësve u caktohen artikuj mbi të cilët duhet të punojnë për të përcaktuar se në cilën kategori bien (informacion i rremë ose informacion i verifikuar e i besueshëm).
4. Puna e verifikimit : Pjesëmarrësit duhet të zbatojnë metodën e verifikimit të informacionit dhe qasjen gazetareske (shih “FICHA 7 – Trajtimi i informacionit me sens kritik”). Kjo metodë mund të prezantohet para ushtrimit ose të lihet që pjesëmarrësit të vendosin vetë mënyrën e verifikimit. Metoda mund të vijë natyrshëm në mendjet e tyre. Megjithatë, nëse nuk shpjegohet në fillim, duhet trajtuar në fund. Për më tepër, meqë tani ekzistojnë shumë faqe “fact-checking”, disa lajme të rreme ndoshta janë tashmë të verifikuara; pjesëmarrësit mund t’i përdorin, por duhet të kuptojnë si është bërë verifikimi dhe, në rastin e një Fake News, cili ishte procesi i përdorur.
5. Prezantimi : Pasi të ketë përfunduar puna, secili jep klasifikimin e tij “Fake News apo jo Fake News” (artikujt mund të shfaqen në ekran dhe grupet thonë “Fake News” për një informacion të rremë dhe “Jo Fake News” për një informacion të vërtetë). Në varësi të gabimeve të bëra nga pjesëmarrësit, duhet kuptuar pse janë gabuar dhe aty bëhet korrigjimi. Mund të futen variante për të gjallëruar prezantimin, si për shembull pjesëmarrësit të pozicionohen në sallë sipas përgjigjes (ata që mendojnë se është Fake News në të djathtë, të tjerët në të majtë). Ose mund të jepen fletë me ngjyra që të tregohen sipas përgjigjes (fletë të kuqe për Fake News, fletë të gjelbra për informacion të verifikuar).
6. Përfundimi : Për të çuar reflektimin më tej dhe për të hapur diskutimin, rekomandohet të bëhen disa pyetje, për shembull :
- Cili ishte qëllimi i këtyre lajmeve të rreme (mashtrim, nxitje urrejtjeje, promovim të një personazhi, qëllim elektoral…)?
- Cili proces u përdor në këto lajme të rreme (manipulim i imazhit, nxjerrje nga konteksti, ndryshim i një informacioni të vërtetë…)?
- A ishte puna e gjatë dhe a mund ta përsërisni atë në jetën e përditshme?
Këto pyetje mund të shërbejnë për të prezantuar nocione të tjera nga fletët pedagogjike, si p.sh. Fact-Checking.
Përshtatja e aktivitetit online
- Facilitatori duhet të krijojë një link në platformën e videokonferencës ZOOM dhe ta dërgojë te të rinjtë (mund të përdoret edhe një platformë tjetër e ngjashme).
- Pasi të jenë mbledhur në një “dhomë virtuale”, të rinjtë ndahen në grupe nga facilitatori.
- Facilitatori u cakton grupeve artikujt.
- Grupet dalin nga salla kryesore dhe hyjnë në “dhoma private” (falë platformës ZOOM). Aty ata mund të kryejnë kërkime online dhe të klasifikojnë artikujt si “informacion i rremë” ose “informacion i verifikuar e i besueshëm”. Secili mund të punojë më vete dhe të komunikojë me grupin përmes chat-it ose videokonferencës.
- Prezantimi bëhet në sallën kryesore virtuale. Në këtë fazë, zëdhënësit e grupeve, të zgjedhur më parë nga facilitatori, japin përgjigjet dhe shpjegimet në emër të grupit.
- Facilitatori mund të udhëheqë debatin duke u nisur nga gabimet e bëra dhe të trajtojë çështjen e Fake News, mekanizmat e krijimit dhe shpërndarjes, si edhe objektivat dhe ndikimet e tyre.


