Prezantimi i aktivitetit

Përshkrim :

Kuizi është një mjet mësimor përmes lojës – nuk bëhet fjalë për një vlerësim. Ushtrimi duhet të shoqërohet, të paktën pjesërisht, me pyetje të thjeshta dhe të arritshme për t’i siguruar pjesëmarrësit mbi aftësinë e tyre për të trajtuar temën dhe kështu të inkurajojë më shumë përfshirjen e tyre.

Ky ushtrim, për shembull, lejon që të trajtohet koncepti i “infox”-it në praktikë përpara se të kërkohet ta përcaktojmë në mënyrë teorike dhe, njëkohësisht, të aktivizojmë drejtpërdrejt mendimin e tyre kritik.

Ai shërben gjithashtu për t’i befasuar pjesëmarrësit mbi përfundimet e nxituara që mund të nxirren nga një informacion ose një imazh.

Në mënyrë konkrete, ky ushtrim lejon të ngrihen të gjitha llojet e pyetjeve të lidhura me edukimin kritik për mediat.

Objektivat:

– Të inkurajohet pjesëmarrja gojore, dialogu, argumentimi dhe të forcohet pjesa teorike e seminarit falë një aktiviteti praktik e kognitiv

– Të krijohet një dinamikë grupi përmes frymës së ekipit

– Të mundësohet dhënia në mënyrë të zgjuar e informacionit teorik mbi botën mediatike (liria e shtypit, datat historike etj.).

Zhvillimi i aktivitetit

1/ Trajneri përgatit rreth pesëmbëdhjetë pyetje (një faqe me pyetje, e ndjekur nga një faqe me përgjigje)

2/ Trajneri ndan pjesëmarrësit në grupe prej 4 deri në 5 persona

3/ Të paraqitura në formën e pyetjeve me alternativa, do t’i kërkohet çdo grupi të përgjigjet në mënyrë kolektive duke zgjedhur vetëm një përgjigje nga disa opsione të ofruara.

4/ Për çdo përgjigje të dhënë, trajneri u kërkon çdo ekipi të justifikojë zgjedhjen e tyre me një përgjigje të shkurtër dhe gojore

5/ Trajneri shpall përgjigjen e saktë. Më pas ai shënon pikët e fituara nga çdo ekip (të përsëritet për çdo pyetje duke numëruar 1 pikë për çdo përgjigje të saktë)

Ideale është të krijoni kuizin tuaj në lidhje me temat në fjalë. Për t’u frymëzuar dhe/ose për t’i ndërgjegjësuar pjesëmarrësit mbi funksionimin e kuizeve, ekzistojnë faqe interneti, veçanërisht “quipoquiz.com” që ofron kategori të ndryshme (këtu kategoria “shkencë apo trillim” është e përshtatshme) dhe kuize argëtuese.

Shembull pyetjeje:

Sipas jush, në cilin vend ndodhet Serbia në renditjen botërore të vendeve sipas lirisë së shtypit në vitin 2020?

  1. 2
  2. 20
  3. 71
  4. 93

Përgjigjja: D (Serbia është në vendin e 93-të në Renditjen botërore të lirisë së shtypit 2020. Serbia vazhdon të jetë një vend shpesh i rrezikshëm për gazetarët dhe ku lajmet e rreme përhapen shumë shpejt. Shumica e hetimeve që lidhen me sulmet ndaj reporterëve janë të bllokuara ose të mbyllura pa rezultat.)

Konteksti Ballkanik

Për këtë aktivitet, referojuni fletëve tematike “Infox” në rubrikën “Informohu” të faqes pedagogjike. Kështu mësuesi do të ketë qasje në shumë lajme të rreme për të përgatitur ushtrimin e tij.