Prezantimi i aktivitetit

“Telefoni pa tel” është një aktivitet ku pjesëmarrësit ftohen të luajnë dhe të dëshmojnë së bashku për shtrembërimet që mund të pësojë një fjalim ose një ngjarje për shkak të ndarjes dhe shpërndarjes së tij, si në rrjetet sociale ashtu edhe në jetën e përditshme. Ky ushtrim lejon të trajtohet çështja e shtrembërimit të fjalëve që qarkullojnë në internet dhe të shpjegohen këto shtrembërime dhe pasojat që mund të kenë, veçanërisht nëse këto fjalë synojnë drejtpërdrejt individë ose një komunitet.

Fillimisht, një person shpik një histori, ia pëshpërit në vesh fqinjit të tij, i cili bën të njëjtën gjë, dhe kështu me radhë, derisa të gjithë pjesëmarrësit ta kenë dëgjuar dhe formuluar versionin e tyre të historisë.

Gjatë një debati në fund të ushtrimit, drejtuesit mund të trajtojnë këtë problematikë të interpretimit dhe paragjykimeve subjektive në shpërndarjen e informacionit.

Variacion i ushtrimit :

  • Mund të jepet një fotografi, një imazh ose një video e shkurtër pjesëmarrësit të parë, në mënyrë që ai t’i tregojë fqinjit të tij çfarë sheh, pa e parë ky i fundit imazhin vetë, dhe më pas ta kalojë informacionin me gojë pjesëmarrësit pasardhës, e kështu me radhë. Në fund të ushtrimit, grupit i tregohet imazhi fillestar dhe vërehen ndryshimet që ka pësuar.

Zhvillimi i aktivitetit

1. Përgatitja e aktivitetit : Drejtuesit duhet fillimisht të përgatisin një ose disa histori për “telefonin pa tel”, ose të gjejnë imazhe që ilustrojnë një veprim ose një ngjarje, në mënyrë që të ketë sa më shumë elementë për t’u marrë parasysh. Kompleksiteti i historisë ose i imazhit do ta bëjë ushtrimin më të lehtë ose më të vështirë.

2. Vendosja e lojës : Drejtuesit japin udhëzimet dhe komunikojnë versionin e tyre të historisë personit të parë ose i tregojnë atij imazhin e zgjedhur.

3. Zhvillimi : Fillimisht, pjesëmarrësit ulen dhe formojnë një rreth të madh. Personi i parë pëshpërit historinë e tij (ose përshkruan një imazh) në vesh të personit që është ulur në të djathtën e tij. Ky i fundit pëshpërit versionin e tij në vesh të personit ngjitur derisa të gjithë ta kenë dëgjuar historinë. Personi i fundit e përsërit me zë të lartë atë që ka dëgjuar. Grupi krahason versionin final me atë që tregoi personi i parë duke evidentuar ndryshimet.

4. Shkëmbimi i përgjithshëm / debati kolektiv përmes pyetjeve (të shkruara në tabelë) : Si ndryshoi historia kur u tregua disa herë? Çfarë ndikon në mënyrën si dëgjojmë dhe interpretojmë një informacion? Çfarë ndikimi kanë përvojat dhe interesat tona në pikëpamjet tona? A ndodh që ndonjëherë njerëzit të dëgjojnë disa interpretime të ndryshme të së njëjtës histori dhe të fillojnë të pyesin cila version është më i saktë? Nëse secili sheh dhe dëgjon çdo gjë paksa ndryshe, si mund ta dimë nëse historia është e saktë? Çfarë ndjenjash ju ngjallin ndryshimet e bëra në histori? Krahasoni çfarë ndien personi që nisi historinë me atë që ndien pjesa tjetër e grupit. Çfarë ndodh nëse është një histori personale dhe kuptimi i saj është ndryshuar? A do të ishit gati ta ndanit këtë histori në internet?