Prezantimi i aktivitetit

Objektivat:

– T’u mundësojë pjesëmarrësve të zbatojnë metodën gazetareske të verifikimit të fakteve.

– Të vlerësojnë cilësinë dhe rëndësinë e një informacioni.

– Të reflektojnë mbi vështirësinë e marrjes së një informacioni të qartë për disa tema.

Pjesëmarrësit do të vendosen në grupe para kompjuterëve dhe do të kenë disa informacione për të verifikuar. Duhet përgatitur disa tema për të ditur paraprakisht vërtetësinë ose jo të këtyre informacioneve, por synimi është t’i lihen atyre të zbulojnë vetë.

Verifikimi mund të përfshijë disa lloje informacioni, nga më i thjeshti – si data e një ngjarjeje, përmbajtja e një ligji ose zhvillimi i një ndeshjeje futbolli – deri tek më i komplikuari. Për shembull, përcaktimi i numrit të të papunëve në Kosovë detyron të ndalet mbi një përkufizim të papunësisë (që ndryshon sipas organizmave).

Qëllimi i këtij ushtrimi është t’u japë pjesëmarrësve një rol “hetuesi”, “mini-gazetari” dhe të afirmojë një qëndrim vigjilence që ata do të duhet ta adoptojnë çdo ditë në internet.

Zhvillimi i aktivitetit

1 – Trajneri përmbledh një dhjetëshe informacionesh (në varësi të numrit të të rinjve) të gjetura në internet ose rrjete sociale, që janë lajme të rreme (të hedhura poshtë që nga publikimi) ose informacione të vërteta që mund të verifikohen lehtësisht. Trajneri bën paraprakisht procesin e verifikimit të një informacioni dhe përgatit korrigjimin.

2 – Pjesëmarrësit, të ndarë në grupe nga 2 ose 3, zgjedhin me short 2 ose 3 informacione.

3 – Vendosja e pjesëmarrësve në grupe para kompjuterëve dhe dhënia e disa informacioneve për t’i verifikuar.

4 – Rikujtimi i metodës së verifikimit të një informacioni:

  • Cila është natyra e faqes ku është gjetur informacioni? (shiko “përshkrimin ligjor” ose seksionin “rreth nesh” të faqes)
  • A është një faqe informacioni ndërkombëtar, një faqe humoristike, një blog politik?
  • Kush është autori i informacionit? Një politikan, një gazetar, një ekspert, një qytetar, një autor anonim? (Të bëhen kërkime për këtë person)
  • Cili është qëllimi i tij?
  • A kërkon të na frikësojë, të na informojë, të na manipulojë, të na bindë?
  • Prej nga vjen informacioni dhe mbi cilat burime/prova mbështetet?
  • Prej kur daton?
  • A është publikuar informacioni në faqe të tjera?
  • A mund të krahasohet, pra të gjendet diku tjetër, në media të tjera?

5 – Prezantimi nga grupi i procesit të verifikimit të një informacioni, përshtypjet e grupeve të tjera mbi prezantimin e bërë, korrigjimi nga trajneri.

Konteksti ballkanik

Për këtë aktivitet, referojuni fletëve tematike “ Mediet e pavarura” të faqes pedagogjike. Kështu mësuesi do të ketë qasje në shumë informacione për t’i verifikuar në përgatitje të ushtrimit të tij.